Ngjarje reale

Ngjarje Reale

Një Grua, për të Ndihmuar Familjen e saj, Lufton kundër Turpit ndaj Infeksionit me Virusin HIV/AIDS

Të fitosh mbështetje për fëmijën dhe një jetë më të lumtur

Në emër të babait: ndihma për fëmijët e prekur nga gjakmarrja

Një shtëpi për fëmijët e gjithkujt

 

Të fitosh mbështetje për fëmijën dhe një jetë më të lumtur

© UNICEF Albania/2004/G. Pirozzi
Drita Babameto, koordinatore e Gratë Biznesmene në Tranzicion, duke këshilluar një klient në qendër.

Iu deshën 10 vjet pune të lodhshme dhe plot sakrifica, por më në fund Shefikati ia doli në krye të siguronte mbështetje financiare për katër fëmijët e saj. Përveç mbështetjes për fëmijët e vet ajo nxori edhe disa mësime të rëndësishme të cilat ia pasuruan asaj jetën personale.

"A don të dish historinë time?" më pyet ajo. "Mirë, kam kujtime të këqija nga një martesë e palumtur. Unë jetoja me një burrë të dhunshëm që prej tetë vjetësh dhe, ta them unë, ... jeta ime me të ishte një ferr i vërtetë”. Por me ndihmën e UNICEF Shefikati arriti ta hedhë çështjen në gjyq dhe të fitojë me vendim gjyqi të drejtën e fëmijës së vet për mbështetje.

Shefikati (mbiemri i saj nuk jepet këtu për të mbrojtur jetën e saj private) punonte  tokën ndërsa i shoqi ishte minator. Ata jetonin në një zonë të varfër 20 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Fytyra e saj është e mbushur me rrudha të thella nga jeta e vështirë që ka bërë. Asaj i duhej të punonte jashtë shtëpisë dhe në të njëjtën kohë t’i rezistonte një martese të frikshme.

"Unë nuk do t’i harroj kurrë ato mbrëmje kur burri im vinte në shtëpi i dehur tapë dhe më rrihte mua dhe fëmijët”, kujton ajo.

Në vitin 1993 ata vendosën të divorcohen. Ai e la atë me katër fëmijët të cilët ishin të gjithë nën moshën 7 vjeç, përfshirë këtu edhe dy binjakët njëvjeçarë në një shtëpi me një dhomë e me çati gati në të rënë. Gjatë stinës së shirave asaj i duhej t’i lëvizte fëmijët nëpër shtëpitë e fqinjëve ose të të afërmve gjatë natës. I shoqi kurrë nuk dha ndonjë ndihmë ekonomike për fëmijët. Ajo luftoi për t’i rritur ata me pagesën e asistencës sociale prej 4000 lekësh ($40) në muaj, pagesë që nuk i jepej asnjëherë në kohën e duhur dhe, disa herë nuk i jepej fare. Shpesh asaj i duhej të merrte para borxh nga miq a kushërinj. Ajo arrinte të nxirrte ndonjë lek më tepër duke shitur rroba të vjetra në tregun e fshatit.

Shefikati e dinte se kishte të drejtë ligjore për mbështetje financiare për fëmijët, por ajo nuk e dinte si të bënte për ta fituar të drejtën që ligji ia njihte. Ajo e dinte se duhej të shkonte në gjykatë, por nuk kishte para të paguante avokatin ose të përballonte shpenzimet e tjera të procesit gjyqësor.
 
Në vitin 2003, Shefikati dëgjoi për qendrën e Grave Biznesmene në Tranzicion, të cilën e mbështeste UNICEF dhe e cila ofronte disa shërbime për gratë në vështirësi. Kjo qendër synon të ofrojë shkathtësi dhe modele të roleve pozitive për të ndihmuar në ndërtimin e marrëdhënieve të respektit në familje. Kjo punë bazohet në faktin se fëmijët që e shikojnë nënën e tyre të trajtohet keq marrin mësimin se nëna e tyre nuk e meriton të respektohet edhe prej vetë fëmijëve.

Qëndra ofron këshillim paramartesor për çiftet e reja për t’i ndihmuar ata ta fillojnë jetën në mënyrë pozitive, me këmbë të mbarë. Ajo ofron gjithashtu edhe trajnim për gra këshilluese që të punojnë me gra e vajza që kanë probleme në familje. Deri tani janë trajnuar 80 gra të tilla. Qendra ofron shërbime dhe referime edhe për gra që kanë nevojë për ndihmë. Një aktivitet tjetër i qendrës është nxitja e komunitetit për të diskutuar rreth ndërtimit të marrëdhënieve të shëndosha familjare duke dhënë  kështu modelet e roleve pozitive në familje dhe rreth dhënies fund të dhunës në familje. Këto seanca jozyrtare kryhen në shkolla ditëve të enjte, kur prindërit shkojnë të flasin me mësuesit për ecurinë e fëmijëve në mësime.

Sapo Shefikati shkoi në qendër, atë e referuan në Qendrën Avokatore për Gratë, e cila i ofroi asaj pesë seanca takime falas me avokatin. Kjo i bëri të mundur asaj që të ngrinte një pretendim të suksesshëm për mbështetje financiare për fëmijët nga ishbashkëshorti i saj.

"Në fillim unë nuk kisha besim se mund ta fitoja çështjen ngaqë kisha pritur kaq gjatë për të patur mbështetje për fëmijët e mi”, thotë ajo dhe buzëqeshja ia ndriçon fytyrën. "Por tani, falë mbështetjes nga qendra, problemi është zgjidhur”.

Shefikati nuk dinte gjë për të drejtat e sanksionuara në Kodin e ri Shqiptar të Familjes. I rishikuar në vitin 2003, ky kod përmban përmirësime të rëndësishme në statusin e grave dhe të fëmijëve. Ai e rrit moshën e martesës për vajzat nga 16 në 18 vjeç dhe i përcakton më mirë përgjegjësitë për rritjen e fëmijës, për të drejtat ekonomike të bashkëshortëve në rast divorci. Kodi përfshin gjithashtu edhe masat emergjente për viktimat e dhunës në familje.

 "Për këtë ligj të ri njerëzit nuk kanë informacionin e duhur prandaj ka rëndësi që ta botojmë atë me qëllim që të rrisim kërkesat e njerëzve për t’u mbështetur te ai”, thotë Drita Babameto, koordinatore e shoqatws Gratë Biznesmene në Tranzicion. Vëtën brenda një viti qendra ka informuar 2000 njerëz, shumica e tyre gra dhe vajza për çështje të tilla si shërbimet psikosociale dhe ndihma shëndetësore.

"Unë e mbaj mend se sa e trembur ishte Shefikati në fillim”, thotë zonja Babameto. “Kur mori vesh për qendrën ajo nuk pati besim të vinte te ne e të kërkonte këshillë sepse mentaliteti i komunitetit ku ajo jeton është shumë patriarkal. Por unë mund të shoh se sa ka ndryshuar ajo tani”.

Shefikati vjen në qendrën tonë shpesh dhe e ka shumë qejf shoqërinë e grave të tjera që mbështesin njëra tjetrën në trajtimin e problemeve që kanë. Ajo që Shefikati ka mësuar prej qendrës e ndihmon atë t’i edukojë fëmijët e saj të respektojnë veten dhe të bëhen qytetarë të përgjegjshëm. Ajo dhe katër fëmijët e saj jetojnë së bashku në shtëpinë e tyre në paqe dhe në harmoni. Ajo tani ka gjetur më shumë qetësi në veten e saj. Vajza e saj më e madhe kohët e fundit është fejuar dhe ka gjetur edhe një punë.

"E keqja kaloi" thotë Shefikati. "Tani fëmijët janë rritur dhe kanë arritur të mbarojnë të paktën shkollën 8-vjeçare dhe po ndihmojnë njëri tjetrin. Unë shpresoj se ata do të bëjnë një jetë më të mirë se kjo imja. Shpresoj t’ju kem mësuar atyre si ta duan dhe ta repektojnë veten dhe familjet e tyre të ardhme”.

 

 
Search:

 Email this article

For every child
Health, Education, Equality, Protection 
ADVANCE HUMANITY