Në emër të babait: ndihma për fëmijët e prekur nga gjakmarrja
Një adoleshent i kalon ditët e tij i vetmuar në shtëpi, i izoluar nga frika se mos bëhet viktimë e vrasjes për hakmarrje. Takoj Marash Filin. Ai është 14 vjeç, i mirë në matematikë, pëlqen vallëzimin dhe dëshiron të bëhet polic kur të rritet ngaqë mendon se në qytetin e tij, Shkodër-Shqipëri, ligji nuk zbatohet siç duhet. Por këto kohë Marashi nuk ka rast të shohë nëse policët e bëjnë punën e tyre si duhet apo jo. Ai është i mbyllur në shtëpi nga rreziku se mos e vrasin familjet armike nëse ai kalon pragun e derës. “Unë dua të jem me shokët e mi dhe të bëj një jetë normale”, thotë Marashi 14 vjeçar. Marashi është një viktimë e gjallë e gjakmarrjes - një vrasje për hakmarrje e sanksionuar në praktikat mesjetare dhe e ringjallur në Shqipërinë veriore që prej rënies së regjimit komunist në vitin 1991. Gjakmarrja është një praktikë anakronike e kodifikuar në Kanun, një kod ligjesh i cili lindi në mesjetë për të rregulluar jetën në veriun e izoluar të Shqipërisë. Ai thotë se një veprim i gabuar si vrasja mund të shpaguhet duke vrarë një anëtar mashkull të familjes që ka kryer krimin. Kjo pastaj çon në një cikël vrajesh flakë për flakë të cilat rrezikojnë të gjithë anëtarët meshkuj të familjes së zgjeruar. Gjakmarrja mund të zgjasë për vite ose për gjenerata të tëra. Dhe fëmijët vuajnë në emër të atit. Një familje e shkatërruar prej një vdekjeje të pakuptimtë Vëllai më i madh i Marashit, Zefi, u vra katër vjetë më parë në moshën 17 vjeçare për të larë gjakun e një burri të vrarë nga xhaxhai i tij gjatë një zënieje banale për grumbullimin e druve në pyll. Babai i tyre është fshehur. Zonja Fili me lotët që i rrokullisen nëpër faqe u tregon vizitorëve një bllok të vogël me vjersha që Zefi i kishte shkruar me një shkrim të bukur dore. Fotografia e tij është në qendër të një muri përkujtimor në shtëpinë e thjeshtë të familjes në periferi të qytetit. “Ne u përpoqëm të pajtoheshim me familjen tjetër për ta ndaluar gjakmarrjen”, thotë Zonja Fili. “Por ata refuzuan”. Për Marashin ditët janë të gjata dhe të mërzitshme në banesën e vogël. “Unë dua të jem bashkë me shokët dhe të jetoj një jetë normale”, thotë ai. Pak veta vinë ta shohin dhe ai mund të dalë nga shtëpia vetëm në ditën e festës së Shën Rokos, kur tradita nuk e lejon të kryhen vrasje për gjak.
Një projekt i mbështetur nga UNICEF synon të ndihmojë djemtë si Marashi të realizojnë të drejtën e tyre për arsim edhe kur janë të mbyllur në shtëpi, të zbutë izolimin e të rinjve dhe t’i mbajë ata gati për tu kthyer në shkollë kur të zgjdhet çështja e gjakmarrjes. Projekti mbështet drejtoritw arsimore në tre rrethet më të prekura të cilat kanë arritur të hartojnë programe të posaçme të arsimimit në shtëpi. Ky projekt trajnon mësuesit për të ofruar mbështetje emocionale dhe psikologjike për fëmijët dhe familjet e tyre. Deri tani janë trajnuar 84 mësues. Në Shkodër projekti ka ndihmuar 370 fëmijë deri tani dhe 230 prej tyre kanë arritur të kthehen në shkollë, ndërsa 140 të tjerët duhet të vazhdojnë të shkollohen në shtëpi. Mësuesit si aktivistë të paqes Përveç kësaj 80 mësues janë trajnuar për të qenë aktivistë të paqes në komunitetet e tyre. Roli i tyre është të ndërmjetësojnë në mosmarëveshjet dhe të nxitin përdorimin e metodave alternative të zgjidhjes së konflikteve. Në tre muajt e parë të vitit 2003, gjashtë familje u pajtuan në prefekturën e Shkodrës në sajë të rolit të këtyre mësuesve. Gjakmarrja është një praktikë anakronike e kodifikuar në Kanun, një kod ligjesh që u formua në mesjetë për të rregulluar jetën në veriun e izoluar të Shqipërisë Arbeni është mësuesi i Marashit. Ai kalon tetë orë në javë me Marashin duke u përpjekur ta ndihmojë atë të mësojë dhe duke mbështetur emocionalisht edhe familjen e tij, veçanërisht në këto kohë që babai i tij është larguar për t’u fshehur. “Ne gjithashtu i ndihmojmë ata të shmangin izolimin, duke u shkuar në ngjarje të caktuara si ditëlindjet”, thotë ai. Projekti u ofron fëmijëve të familjeve që pajtohen dhe shkojnë në shkollë ndihmë të posaçme që ata të kapin të tjerët në mësime dhe të ecin me ritmin e tyre si edhe të përshtaten me mjedisin shkollor.Të gjitha familjet e prekura nga gjakmarrja janë të varfëra dhe prandaj projekti i ndihmon ato duke u ofruar furnizimet themelore dhe veshmbathje.
|