Çfarë është KDF?
 |
|
© UNICEF Albania/04-0020/G. Pirozzi |
KDF është Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve. KDF është traktati i të drejtave të njeriut, më i ratifikuari në historinë e traktateve. Ai u miratua nga OKB në vitin 1989 dhe u ratifikua nga Shqipëria në vitin 1992. Konventa hedh themelet e të drejtave humane për çdo fëmijë. Çdokush ka lindur me këto të drejta, por shumë prej të drejtave të fëmijëve nuk janë realizuar.
UNICEF është përkushtuar për të ndihmuar qeveritë dhe partnerë të tjerë për të krijuar kushtet që i mundësojnë çdo fëmije realizimin e të drejtave të tij: çdo fëmije, në çdo vend e në çdo kohë. Konventa e përkufizon fëmijërinë si një periudhë që përfundon në moshën 18 vjeç, dhe në këtë mënyrë ne punojmë që t’i ndihmojmë fëmijët që në çastin kur lindin e deri në adoleshencë, madje edhe para se ata të lindin (për t’u siguruar që ata të lindin të shëndetshëm).
Këtu në Shqipëri ne bashkëpunojmë me ministritë, me pushtetin vendor dhe shoqërinë civile në të gjithë vendin për të ndihmuar që fëmijët të realizojnë të drejtat e tyre për kujdes shëndetësor, për arsim cilësor dhe ushqim të përshtatshëm; që ata të marrin pjesë në marrjen e vendimeve që kanë ndikim në jetën e tyre; që ata të jenë të mbrojtur nga neglizhimi, nga abuzimi dhe diskriminimi. Hapni faqen tonë të internetit për të parë shembuj të aktiviteteve tona.