Femijet

Vitet e para të jetës

Vitet e shkollës tetëvjeçare

Adoleshenca

 

Vitet e shkollës tetëvjeçare

Përmbledhtaz:

  • Pothuajse ¼ e fëmijëve në zonat rurale që regjistrohen në klasën e parë nuk e përfundojnë shkollën tetëvjeçare.
  • ¼ e mësuesve të shkollës tetëvjeçare nuk janë të kualifikuar
  • Një numër i madh i fëmijëve të minoriteteve nuk shkojnë në shkollë
  • Vetëm rreth 3% e PPB shkon për arsimin

Gjatë periudhës komuniste pothuajse çdo shqiptar ndiqte shkollën, por ky sukses u pakësua. Në 2003, niveli i regjistrimit në shkollë ishte 94%. Mijëra mësues u larguan nga arsimi për shkak të rrogës së ulët. Shumë shkolla u shkatërruan gjatë përmbysjes së regjimit të mëparshëm më 1991 dhe anarkisë që pasoi rënien e skemës së firmave piramidale më 1997.

Problemet janë veçanërisht të mprehta në zonat rurale ku, pothuajse ¼ e fëmijëve që regjistrohen në klasën e parë nuk arrijnë ta përfundojnë shkollën tetëvjeçare. 30% e shkollave në këto zona nuk kanë banjo, gjë e cila ndikon shumë në rritjen e shkallës së braktisjes së shkollës nga vajzat kur arrijnë adoleshencën. Një numër i konsiderueshëm fëmijësh, veçanërisht vajza, nuk lejohen të shkojnë në shkollë nga familjet e tyre për shkak të frikës që ato kanë ndaj dhunës dhe rrëmbimit për qëllime trafikimi.

Një pjesë e madhe e fëmijëve të grupeve minoritare (kryesisht evgjitët dhe romët) nuk e ndjekin shkollën. Nga 12.000 fëmijë shqiptarë me paaftësi të ndryshme, 94% e tyre nuk shkojnë në shkollë sepse shkollat nuk kanë aftësi t’iu përgjigjen nevojave të tyre specifike. Në veri të vendit, disa qindra fëmijë të prekur nga gjakmarrja (vrasjet për hakmarrje) mbahen të izoluar në shtëpi për tu mbrojtur. Edhe ata fëmijë që kanë mundësi të përfitojnë nga edukimi në shtëpi, mungesa e kontaktit shoqëror i lë ata të izoluar në një moment shumë të rëndësishëm të jetës së tyre, duke penguar kështu zhvillimin psiko-social të tyre.

Sistemi arsimor nuk është shumë tërheqës për nxënësit dhe prindërit e tyre për shkak të paaftësisë së tij për t’iu pëgjigjur realitetit aktual të vendit. Klasat janë të mbipopulluara. Në shkolla mungojnë edhe baza didaktike e mësimdhënies, edhe teknikat moderne që vënë në qendër nxënësin. Më shumë se ¼ e mësuesve të shkollës tetëvjeçare nuk janë të kualifikuar. Mungesa e lidhjeve ndërmjet niveleve të ndryshme të edukimit e bën shumë të vështirë kalimin nga shkollla tetëvjeçare në shkollën e mesme.

Fëmijët që braktisin shkollën përballen me shumë rreziqe. Varfëria ekstreme, krimi i organizuar në rritje, dhe kufijtë jo në kontroll të plotë e kanë bërë trafikimin një realitet të frikshëm për shumë fëmijë. Fëmijët, adoleshentët dhe gratë e reja rrëmbehen në rrugë, mashtrohen me premtime false për një jetë më të mirë ose shiten nga familjet e tyre. Ata trafikohen në vendet fqinje (veçanërisht Greqi e Itali). Më të vegjëlit përdoren për të lypur ose për të shitur sende të vogla në rrugë, vajzat e mëdha detyrohen të punojnë si prostituta.

© UNICEF Albania/2004/ A.Celi
Një nxënëse e zellshme në një shkollë fillore në Korçë

Sipas të dhënave zyrtare rreth gjysma e 700 fëmijëve që jetojnë në institucione kanë të paktën një anëtar të familjes gjallë. Shumë prej këtyre institucioneve kanë mungesa në higjienë, në kushtet e jetesës dhe nuk arrijnë të ofrojnë mjedise kujdesi e zhvillimi duke i lënë të rinjtë të papërgatitur për t’u integruar në shoqëri. Përveç kësaj rreth 8000 fëmijë punojnë në rrugë gjatë orëve të mësimit. Ndërkohë që këta fëmijë nuk janë teknikisht të braktisur, prindërit e tyre ose e miratojnë punën e fëmijëve në rrugë në kohën që ata duhet të jenë në shkollë, ose nuk arrijnë ta monitorojnë situatën e fëmijëve të tyre si figura prindërore.

Disa prej të dhënave statistikore mund të jenë të ndryshme prej të dhënave zyrtare të UNICEF-it, për shkak të ndryshimeve në përkufizime dhe në madhësinë e kampionit. Të dhëna të plota zyrtare të UNICEF-it mund të gjenden në adresën e internetit http://www.unicef.org

 

 
Search:

 Email this article

unite for children