Femijet

Vitet e para të jetës

Vitet e shkollës tetëvjeçare

Adoleshenca

 

Adoleshenca

Përmbledhtaz:

  • Regjistrimet në shkollat e mesme profesionale kanë rënë me 89%, ndërsa në shkollat e mesme të përgjithshme ato janë rritur me 24%
  • 40% e të rinjve të punësuar janë sistemuar vetëm në punë të përkohshme dhe rastësishme
  • Përqindja e kundravajtësve të mitur(14- 18 vjeç) ka rënë nga 1% në 1992 në 0.3% në 2002
  • Regjistrimi i popullsisë i vitit 2001 zbuloi se 20% e grupmoshës 15-24 vjeç është larguar nga vendi

Periudha e tranzicionit solli mjaft ndryshime në shoqërinë shqiptare, shpesh me efekte të dëmshme mbi adoleshentët. Të rinjtë përballen me rreziqe, sidomos me ato që lidhen me sëmundjet seksualisht të transmetueshme, për shkak të rënies së cilësisë së sistemit arsimor dhe të strukturave të familjes tradicionale, për shkak të lëvizjes së popullsisë brenda e jashtë vendit, të krimit të organizuar, të trafikut të qënieve njerëzore dhe të drogës, si edhe të ndryshimit të sjelljeve seksuale.

Ritmet e regjistrimeve në shkollat e mesme profesionale ranë me 89% meqë shumë shkolla u mbyllën dhe shumica e tyre prekën familjet e varfra fshatare. Megjithatë, ritmet e regjistrimeve në shkollat e mesme të përgjithshme u rritën me 24%. Cilësia e arsimit ka rënë për shkak të klasave të mbipopulluara, të mungesës së materialeve didaktike, të rritjes së numrit të mësuesve pa arsimin përkatës dhe të kurrikulave të vjetëruara.

Të rinjtë që përfundojnë sistemin shkollor e kanë të vështirë të gjejnë një punë. Në vitin 2001 vetëm 53% e të rinjve të grupmoshës 15-24 vjeçare ishin punësuar, ndërkohë që niveli i përgjithshëm i punësimit arriti në 77%. 40% e të rinjve të punësuar janë sistemuar vetëm në punë të përkohshme dhe rastësishme.

Disa shanse të kufizuara për punësim kanë detyruar shumë të rinj të emigrojnë dhe kjo e ka pakësuar popullsinë e grupmoshës 15-24 vjeçare me një të pestën e saj. Sondazhi “Zërat e rinj” i shtrirë në të gjithë vendin, zbuloi se 44% e fëmijëve dhe e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria. Adoleshentët duan të emigrojnë për qëllime studimi ose për t’u punësuar, ose edhe thjesht pse ndjejnë që vendi i tyre nuk mund t’u ofrojë një perspektivë. Nëse Shqipëria humbet popullsinë e saj të re, atëherë e ardhmja e saj vihet seriozisht në rrezik.

Ata që nuk munden të emigrojnë legalisht shpesh zgjedhin rrugë të rrezikshme për t’u larguar nga vendi. Në vitin 1999, mbi 340 njerëz u mbytën në Detin Adriatik në përpjekje për të emigruar ilegalisht në Itali me anë të gomoneve. Qeveria shqiptare ka përllogaritur 6000 raste trafikimesh, megjithëse organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare kanë sugjeruar shifra më të larta. Sipas IOM (2002) përllogaritet se 30000 vajza dhe gra shqiptare punojnë si punonjëse seksi në vendet europiane. Askush nuk e di se sa prej tyre kanë qenë të trafikuara.

Papunësia dhe zhgënjimi i nxisin të rinjtë të kryejnë sjellje të rrezikshme, si seksi i pambrojtur dhe aktivitete kriminale. Shqipëria shërben edhe si vend origjine edhe si vend tranziti për drogën. Numri i përllogaritur i përdoruesve të drogës shkon në rreth 30000. Drogat kryesore që përdoren janë heroina dhe cannabis dhe ¾ e përdoruesve të tyre përdorin shiringat e njëri tjetrit. Mbi 80% e përdoruesve të drogës nuk përdorin prezervativë rregullisht gjatë akteve seksuale dhe ata kanë mesatarisht 2-10 partnerë në vit.

Deri në vitin 2003 Shqipëria ka 123 raste të konfirmuara me infeksionet HIV/SIDA. Zyrtarët e shëndetësisë besojnë se shifra reale është 10-15 herë më e lartë, për shkak të mungesës së trajtimit shëndetësor dhe të aksesit në shërbimet e testimit, si edhe të diskriminimit që i dekurajon njerëzit e nuk i lë të shkojnë për t’u testuar. Gjatë vitit të shkuar u regjistruan dy raste të transmetimit të infeksionit nga nëna te fëmija, por gjithashtu vetëm në shtator 2003 u regjistruan edhe tre raste të reja të kësaj mënyre transmetimi. Faktorët rrezikues në vend-lëvija e popullsisë brenda e jashtë vendit, varfëria, pabarazia gjinore, dobësimi i strukturave sociale tradicionale dhe i sjelljeve seksuale, ritmet e larta të infeksionit në rajon, informacioni i pakët parandalues i infeksione HIV/SIDA dhe shtimi i përdorimit të drogës-të gjitha këto e bëjnë situatën të jetë shpërthyese.

© UNICEF Albania/2003/R. Tasho
Të rinj në një forum në Vlorë duke kontribuuar në strategjinë shqiptare të HIV/SIDA

Përqindja e kundravajtësve minorenë(14-18 vjeçarë) ka rënë nga 1% gjatë ngjarjeve politike të viteve 1992 në 0.3% në vitin 2002. Të rinjtë kanë kryer më shumë grabitje dhe vrasje në krahasim me përdhunime, kundravajtje me drogë dhe krime serioze. Të rinjtë kanë kryer 13% të krimit të vjedhjes me dhunë në vitin 1992, ndërsa kjo shifër u rrit në 19% në vitin 2002. Ritmi i vrasjeve nga të rinjtë ka rënë që prej vitit 1992, por duke qenë se ai përfaqëson 10% të të gjitha vrasjeve, ai është më i larti në rajon.

Sipas një studimi që u shtri në të gjithë vendin, 8% e grave janë keqtrajtuar fizikisht nga partneri i tyre dhe 25% e tyre janë keqtrajtuar psikologjikisht. Fëmijët në këto familje janë dëshmitarë të dhunës dhe shumë prej tyre e pësojnë vetë atë. Dhuna në familje mbjell farën e dhunës dhe të diskriminimit gjinor në rolet që fëmijët përvetësojnë dhe dëmton zhvillimin e tyre të shëndetshëm.

Disa prej të dhënave statistikore mund të jenë të ndryshme prej të dhënave zyrtare të UNICEF-it, për shkak të ndryshimeve në përkufizime dhe në madhësinë e kampionit. Të dhëna të plota zyrtare të UNICEF-it mund të gjenden në adresën e internetit www.unicef.org.

 

 

 
Search:

 Email this article

For every child
Health, Education, Equality, Protection 
ADVANCE HUMANITY